Këshilli i Arsimtarëve të gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, më 25 gusht ka mbajtur mbledhjen e vet të rregullt, ku përveç tjerash ka shqyrtuar edhe kërkesën e BIK-ut lidhur me futjen në shkollat publike të lëndës “Edukata fetare”.
Këshilli i arsimtarëve i kësaj shkolle, pas diskutimeve për këtë çështje, që pritet të dalë në
Kuvendin e Kosovës, ka lëshuar një deklaratë me të cilën shpreh shqetësimin e vet lidhur me tendencën e BIK-ut dhe të disa grupeve ekstreme islamike, të cilat po tentojnë që ta fusin në shkollat shqipe lëndën e fesë islame, të kamufluar si lëndë të “Edukatës fetare”.
Mësimdhënësit e “Sami Frashëri” janë njoftuar përmes mjeteve të informimit se Kuvendi i Kosovës “shumë shpejt” do të fillojë procedurën e ndërrimit të Ligjit mbi arsimin parauniversitar, dhe kështu do ta aprovojë ligjin e ri, i cili mundëson futjen e lëndës së edukatës fetare në shkollat publike, gjë që bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës, sipas së cilës shteti ynë është shtet laik.
Në njoftimin e shpërndarë sot medieve, mësimdhënësit e këtij gjimnazi e kundërshtojnë futjen e “lëndës fetare” në shkollat publike, si dhe bartjen e shamisë religjioze në shkollat tona për këto arsye:
“Shkolla shqipe në Kosovë ka një të kaluar shumë të rëndë por edhe shumë të lavdishme. Gjatë të kaluarës së saj, shkolla shqipe ka pasur shumë pengesa nga okupatorë dhe ideologji të huaja. Pavarësisht peripecive, shkolla shqipe ka mbijetuar dhe sot është në këtë nivel që është, duke iu falënderuar punës vetëmohuese të mësimdhënësve. Duhet të përmendët vetëm periudha e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar, kur mësimdhënësit shqiptarë kundërshtuan plan-programet e okupatorit serb dhe mësimin e vazhduan nën tytat e pushkëve, me kushte e pa kushte, me pagë e pa pagë, me bukë e pa bukë, duke e ruajtur kështu kontinuitetin e arsimimit të brezave, pa lejuar krijimin e stoqeve të fëmijëve analfabetë.
Shkollat publike kanë karakter laik dhe kështu duhet ta kenë. Jemi kundër ngjyrimit politik a fetarë të shkollës publike. Jemi në përpjekje të reformimit të vazhdueshëm të shkollës sonë dhe në përpjekje të ngritjes së cilësisë në mësim, gjë të cilën e kemi detyrë të shtruar para vetës , detyrë profesionale, morale dhe patriotike. Mësimin që e kultivojnë sot shkollat tona ka karakter shkencor dhe si i tillë nxënësve tanë ua hapë rrugën për të studiuar në të gjitha universitet e botës.
MASHT-i ka shtruar para vetës detyrën që arsimi ynë të barazohet me arsimin e vendeve më të përparuar të Evropës dhe botës, duke synuar Sistemin e Bolonjës. Në këtë sistem nuk mund të hyhet me çallmë e shamia , por me cilësi të lartë në mësim. Për këtë qëllim MASHT-i organizon lloje të ndryshme të trajnimeve të arsimtarëve më qëllim të ngritjes profesionale të tyre.
Komuniteti islamik po e mohon identitetin shqiptarë, gjë të cilën na e kanë mohuar në të kaluarën pushtetet despotike të sulltanëve të Turqisë dhe krajlëve të Serbisë. Prandaj ata që e mohojnë identitetin tonë kombëtarë nuk mundën as nuk dinë ta edukojnë drejt brezin e ri. Përkundrazi, futja e lëndës fetare në shkollat tona, si kërkesë e shtruar nga BIK-u, paraqet kërkesën e ultra islamistëve, të cilët janë kundërshtarë të gjitha formave demokratike të veprimit dhe janë të kundërshtuar kudo në botën demokratike dhe përparimtare. Ata fyejnë figurat më të çmuara të kombit shqiptar.
Shkollën shqipe, institucionet fetare, duhet ta lënë të qetë. Shkolla duhet ta zhvillojë veprimtarinë e vet në bazë të ligjit dhe Kushtetutës së vendit. Ne nuk do të përzihemi në institucionet fetare as në shkollat që mban BIK-u. Njëkohësisht do të kundërshtojmë me forcë çdo përzierje të institucioneve fetare në punët e shkollave publike. Në këtë kundërshtim bie futja e mësimit fetar në shkollat publike dhe bartja e shamisë, ferexhesë ose veshjet tjera që kanë karakter religjioz. Në këtë pikë jemi të vendosur dhe të pathyeshëm. Më që nuk duam të biem ndesh me organet tona shtetërore, ua tërheqim vërejtjen me kohë së mësimi fetarë në shkollat tona është i papranueshëm
Nëse vendos dikush ta ndërrojë Ligjin mbi arsimin parauniversitar, në radhë të parë duhet të pyetën mësimdhënësit shqiptarë, së paku në shenj respekti për sakrificën shekullore dhe mundin që kanë dhënë për arsimin e popullit tonë.
Duke besuar në mirëkuptim dhe duke pasur bindjen se organet tona shtetërore, legjislative dhe ekzekutive, e kuptojnë drejt kërkesën tonë, si kërkesë në funksion të përparimit, edukimit dhe arsimimit të popullit tonë, patëm nderin dhe guximin që t`ju drejtohemi me këtë deklaratë.
Shpresojmë se kryetari dhe deputet e Kuvendit të Kosovës nuk do të bien pre e shantazheve ideologjike islamiste për hapjen e debatit lidhur me futjen e mësimit fetar në shkollat tona.
Po ashtu shpresojmë së MASHT-i do të jetë në krye të detyrës për ruajtjen e dinjitetit të shkollës sonë dhe mësimdhënësve të Republikës së Kosovës.
I thërrasim mësimdhënësit e gjithë Kosovës, prindërit e nxënësve tanë dhe të gjitha forcat përparimtare të vendit tonë, që të na përkrahin nëse e konsiderojnë të drejtë kërkesën tonë”, thuhet në fund të këtij njoftimi të dërguar nga Këshilli i Arsimtarëve të gjimnazit “Sami Frashëri”, e cila i është dërguar edhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, grupeve parlamentare, Komisionit për arsim të Kuvendit, MASHT-it dhe Departamentit të Arsimit të KK të Prishtinës./koha/
KOMENTET
Ky artikull eshte komentuar 22 here