09 February 2012

Projektligji i ri mundëson ardhjen e bankave islamike

Projektligji i ri për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet jobankare, hap dyert që në Kosovë të nisin operimin edhe bankat islamike. Bankierët islamikë mund t’ia mësyjnë Kosovës që pas futjes në fuqi që këtij draftligji, por me kushte të cilat i përcakton Banka Qendrore. Në dëgjimin publik të organizuar të mërkurën nga Komisioni parlamentar për buxhet dhe financa, është vlerësuar se përveç futjes së kapitalit islamik në tregun financiar të vendit, duhet të formohet edhe një ligj tjetër i veçantë për institucionet mikrofinanciare dhe ato jobankare. 

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka theksuar se zhvillimi i sektorit bankar ka ndikuar në nxjerrjen e një ligji të ri, për zëvendësimin e rregullores së UNMIK-ut me të cilën funksionon sistemi bankar. 

Ai ka vlerësuar se ndryshimet në praktikën e mbikëqyrjes bankare kanë rritur kërkesën për nxjerrjen e Ligjit të ri për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet e tjera financiare jobankare, me qëllim të reflektimit të ndryshimeve që kanë ndodhur nga viti 1999.

"Ligji përmirëson standardet e qeverisjes së bankave. Dispozitat e tij i japin autoritet Bankës Qendrore të ndërmarrë masa përmirësuese, si dhe të vendosë gjoba administrative për shkelje të ndryshme të ligjit, me qëllim të forcimit të stabilitetit financiar në vend", ka thënë Hamza. 

Ai ka theksuar se ligji përcakton një strukturë të qartë të pronësisë dhe njëkohësisht eliminon paqartësitë ekzistuese në drejtim të institucioneve mikrofinanciare dhe atyre jobankare.

"Në përgjithësi, ky ligj ka për qëllim ndërtimin e një infrastrukture moderne ligjore për licencimin, mbikëqyrjen dhe rregullimin e bankave, institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve financiare jobankare, si dhe sigurimin e një niveli të përshtatshëm mbrojtës të interesave të depozitarëve", është shprehur Hamza. 

Sipas ministrit të Financave, hartimi i dokumentit ligjor për rregullimin e sektorit bankar ka qenë kërkesë e dalë nga marrëveshja ndërmjet Qeverisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. 

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Gani Gërguri, ka thënë se risia kryesore që sjell miratimi i ligjit ka të bëjë me forcimin e kritereve të qeverisjes, si nevojë aktuale për bankat dhe institucionet financiare në Kosovë.

“Ky ligj nxit forcimin e kritereve të qeverisjes dhe i jep mundësi BQK-së për mbikëqyrje të konsoliduar”, ka thënë Gërguri. Sipas tij, pas aprovimit të këtij draftligji, bankierët islamikë kanë të drejtën e operimit në tregun financiar të Kosovës.

“BQK-ja përcakton dhe kontrollon detajet e operimit të bankingut islamik. Ligji hap derën edhe për ardhjen e investitorëve të tjerë të jashtëm”, është shprehur Gërguri. /kohaditore/

0 comments:

Post a Comment